Imri Ahmeti shpall kandidaturën për kryetar të Lipjanit: Jo për pushtet, por për vazhdimësi
Imri Ahmeti ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për një tjetër mandat si Kryetar i Komunës së Lipjanit, në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve, Ahmeti theksoi se ky nuk është vetëm një angazhim politik, por një rrugëtim personal e emocional me qytetin e tij. “Lipjani është pjesë e jetës sime, e përditshmërisë dhe e ëndrrave të mia”, tha ai duke theksuar se puna e deritanishme ka sjellë ndryshime të mëdha në pamjen dhe zhvillimin e komunës.
“Ka ende shumë për të bërë. Ka projekte që presin të përfundojnë, rrugë që presin të hapen dhe vizione që duam t’i bëjmë realitet”, u shpreh Ahmeti duke ftuar qytetarët që të vazhdojnë rrugën e nisur bashkë.
Ai theksoi se mbështetja qytetare është çelësi për të mos e lënë në gjysmë punën dhe për të çuar Lipjanin edhe më përpara. “Jo për pushtet, por për vazhdimësi. Jo për lavdi, por për punë e përkushtim”, u shpreh Ahmeti duke shtuar se bashkë me qytetarët, të rinjtë dhe profesionistët që po i bashkohen me ide dhe besim, ai synon të ndërtojë një të ardhme edhe më të mirë për Lipjanin. /Kosova.info/
