Pushtimi i heshtur ekonomik: produktet serbe dyfishohen në Kosovë – AKB paralajmëron për rrezik ndaj prodhuesve vendorë

Kosova po përballet me një kthim prapa të rrezikshëm në aspektin ekonomik dhe politik, teksa importet nga Serbia kanë shënuar një rritje alarmante. Sipas të dhënave të publikuara, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, vlera e importit të mallrave serbe në Kosovë ka arritur në 110.53 milionë euro – më shumë se dyfishi i së njëjtës periudhë të vitit 2024, kur ato kapnin shifrën 50.64 milionë euro. Kjo përfaqëson një rritje prej mbi 118%, që për Aleancën Kosovare të Bizneseve (AKB) nuk është thjesht statistikë ekonomike, por një kërcënim i drejtpërdrejtë për prodhimin vendor dhe sovranitetin ekonomik të vendit.

AKB e cilëson këtë zhvillim si pasojë të drejtpërdrejtë të vendimit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e masave kufizuese ndaj mallrave serbe në tetor të vitit të kaluar – një hap i ndërmarrë, sipas tyre, pa asnjë kusht dhe nën trysninë e faktorit serb dhe ndërkombëtar.

“Produktet ‘Made in Kosovo’ po zhduken nga raftet, tregjet dhe tryezat tona. Në vend të tyre, po rikthehen në masë produktet e Serbisë, një shtet që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”, thuhet në reagimin e AKB-së.

Sipas kësaj organizate, kjo situatë përbën më shumë se një çështje tregu: është një sfidë ndaj dinjitetit dhe vetëvendosjes së vendit. Nëse nuk vendosen rregulla të qarta dhe masa mbrojtëse, Kosova rrezikon të bjerë në varësi të një strukture tregtare pa reciprocitet.

AKB vë në pah edhe heshtjen e atyre që dikur kundërshtonin fuqishëm tregtinë me Serbinë: “Ironikisht, ata që dikur protestonin kundër ‘maunave serbe’, sot heshtin ose lehtësojnë hyrjen masive të këtyre mallrave në treg.”

Për këtë arsye, Aleanca Kosovare e Bizneseve bën thirrje për ndërgjegjësim të menjëhershëm qytetar dhe institucional:

“Konsumoni produkte vendore! Mbështesni ekonominë tonë, prodhuesin tonë dhe pavarësinë tonë!”

“Kosova nuk mund të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme mbi importin e identitetit ekonomik të tjetrit. Duhet të zgjedhim midis një tregu të lirë dhe një shteti të lirë. Nuk mund të kemi të dyja nëse nuk vendosim rregulla të barabarta dhe vullnet për t’i zbatuar ato”, përfundon reagimi i fuqishëm i Aleancës Kosovare të Bizneseve. /Kosova.info/


Go to TOP