Zgjedhjet lokale, me 23 korrik fillon regjistrim i votuesve jashtë vendit
Të gjithë shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit, përveç zgjedhjeve për Kuvend, mund të votojnë edhe në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, nëse aplikojnë dhe regjistrohen suksesshëm për votim jashtë Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka theksuar për RTKlive se për procesin e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, KQZ-ja ka caktuar afatin 38 ditësh, i cili do të fillojë më 23 korrik dhe do të përfundojë më 29 gusht 2025.
Sipas tij, aplikimi për regjistrim do të mund të bëhet përmes platformës elektronike të KQZ-së ose përmes postës, duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
Elezi ka theksuar se çdo aplikim për regjistrim duhet të jetë individual.
Ndryshe nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, në Zgjedhjet Lokale, votimi jashtë vendit realizohet vetëm përmes postës, pasi Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme specifikon se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këtë lloj zgjedhjesh.
Gjithashtu, Elezi ka bërë të ditur se në këto zgjedhje, KQZ-ja do të sigurohet që shtetasve të Kosovës që regjistrohen suksesshëm për të votuar nga jashtë Kosovës në votimin me postë, t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotime.
