Kastrati kundër planit të ri urbanistik në Kamenicë: Bahçja publike po kthehet në pronë private
Ish-kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka reaguar ashpër ndaj miratimit të Planit Zhvillimor Komunal, i cili sipas tij parasheh shndërrimin e një hapësire 6 hektarësh në zemër të qytetit në zonë ndërtimi për interesa private. Ai akuzon udhëheqjen aktuale për keqpërdorim të një pasurie që i përket qytetarëve dhe për mungesë vizioni në një kohë kur Kamenica po përballet me krizë të thellë të migrimit dhe mungesë perspektive për të rinjtë.
Në një reagim të drejtpërdrejtë, Qëndron Kastrati kritikoi ashpër miratimin e Planit Zhvillimor Komunal të Kamenicës, ku një prej pikave më kontestuese është përfshirja e një hapësire prej 6 hektarësh në qendër të qytetit si zonë ndërtimi. Ai thotë se kjo hapësirë, e njohur si “bahçja”, ka një rëndësi të veçantë për qytetin dhe nuk duhet të preket nga interesat private.
“Kjo nuk është një tokë çfarëdo. Është pjesë e kujtesës kolektive, simbol i punës së përbashkët dhe i prodhimit vendor. Sot po kthehet në mundësi ndërtimi banesor për rrethin e ngushtë të kryetarit aktual”, ka deklaruar Kastrati.
Ai kujtoi se gjatë mandatit të tij, komuna kishte fituar një kontest gjyqësor për t’ia kthyer këtë pronë publike qytetarëve, ndërsa sot ajo, sipas tij, po planifikohet për privatizim në mënyrë të heshtur, “si në bahçe të babës”.
“Kur Kamenica ka nivelin më të lartë të migrimit në Kosovë, kjo hapësirë nuk mund të trajtohet si mall privat. Në vend të ndërtimeve private, aty duhet të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët,” theksoi Kastrati.
Ai apeloi për një qasje më vizionare dhe të drejtë ndaj zhvillimit urban dhe mbrojtjes së interesit publik duke theksuar se qyteti i Kamenicës meriton shumë më tepër se keqmenaxhim dhe favorizime të grupeve të interesit.
Reagimi i tij ka shkaktuar debat në opinionin publik lokal dhe pritet të pasohet me reagime të tjera nga qytetarë dhe akterë politikë, veçanërisht për mënyrën se si po trajtohen pronat publike dhe trashëgimia kolektive. /Kosova.info/
