Rama në Ditën e Pavarësisë së SHBA-së: Mirënjohje për mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka uruar sot Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke theksuar rolin historik dhe të pazëvendësueshëm të këtij vendi në proceset vendimtare për shqiptarët dhe për Kosovën.

“Sot, në Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kujtojmë dhe nderojmë rolin që ky komb ka luajtur në historinë tonë”, ka deklaruar Rama.

Ai tha se për shqiptarët, SHBA-ja ka qenë më shumë se një aleat strategjik. “Ka qenë dhe është një partner i pazëvendësueshëm në periudha vendimtare të historisë sonë. Mbështetja e saj për çështjen e Kosovës, veçanërisht në kohët më të vështira, mbetet një prej shprehjeve më të qarta të vlerave mbi të cilat ky shtet u themelua: besimi në lirinë dhe dinjitetin njerëzor”, shtoi ai.

Rama po ashtu theksoi rolin e pazëvendësueshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan duke e cilësuar atë si një zë të fuqishëm në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe për lirinë e Kosovës.

“Ky komunitet ka ditur të ruajë lidhjet me rrënjët duke i dhënë një dimension të ri marrëdhënieve tona me SHBA-në,” tha ai.

Në fund të mesazhit, kryetari i Prishtinës shprehu mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës dhe shqiptarëve duke uruar: “Gëzuar!”. /Kosova.info/


Go to TOP