Shkollë e re në lagjen “Prishtina e Re” – Investim për 800 nxënës dhe të ardhmen e kryeqytetit
Kryeqyteti po zgjerohet dhe bashkë me të po rritet edhe nevoja për infrastrukturë arsimore cilësore. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se në lagjen “Prishtina e Re”, afër Lagjes Amerikane, ka nisur ndërtimi i një shkolle të re fillore dhe të mesme të ulët.
Objekti shkollor do të ketë një sipërfaqe prej 6,430 metrash katrorë dhe do të ofrojë kushte moderne për mësim dhe zhvillim arsimor për mbi 800 nxënës dhe stafin pedagogjik.
Ky institucion arsimor pritet të përfundohet brenda një afati prej 36 muajsh dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të lagjeve të urbanizuara dhe funksionale, me shkolla të aksesueshme për çdo familje.
“Po përkujdesemi që secila lagje e re të ketë shkollë afër – një investim i domosdoshëm për komunitetin, për nxënësit, prindërit dhe të ardhmen e qytetit tonë,” ka theksuar kryetari Rama.
Ky projekt është pjesë e strategjisë së Komunës së Prishtinës për zhvillim të qëndrueshëm urban dhe rritje të cilësisë në arsim. /Kosova.info/
