Hapet Tuneli i Kurrizit në Prishtinë – Përparim Rama zyrtarisht inauguron projektin infrastrukturor

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se sot, nga ora 20:30, do të mbahet ceremonia zyrtare e hapjes së Tunelit të Kurrizit, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për zonën urbane të qytetit.

Ngjarja do të shënojë inaugurimin zyrtar të punimeve ndërtimore dhe transformimin e kësaj hapësire publike, e cila për dekada ka qenë një ndër nyjat më të frekuentuara në qendrën e vjetër të Prishtinës.

Me këtë rast, Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, do të mbajë një fjalë rasti, ku pritet të flasë për rëndësinë e këtij investimi në funksionalizimin, sigurinë dhe rigjenerimin urban të Kurrizit.

Ky projekt përfshin sistemimin e infrastrukturës rrugore dhe nëntokësore, ndriçimin, qasjen për këmbësorë dhe një model të ri të hapësirave publike, që sipas Komunës, do të kthejnë Tunelin e Kurrizit në një zonë funksionale, moderne dhe më të sigurt për qytetarët.

Komuna ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në këtë ceremoni duke e cilësuar këtë moment si hap kyç për zhvillimin urban dhe përmirësimin e jetës në qytet. /Kosova.info/


Go to TOP