AKB: Kapitali po ikën jashtë, Kosova po humb brenda – kërkohet Pakt Ekonomik Kombëtar
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka ngritur alarmin për një trend shqetësues ekonomik që po godet vendin: largimin e kapitalit dhe të ndërmarrjeve kosovare drejt tregjeve të huaja, sidomos në Shqipëri dhe vende të Bashkimit Evropian.
Sipas të dhënave të siguruara nga AKB, vetëm gjatë vitit 2024 rreth 600 ndërmarrje aktive me kapital nga Kosova janë zhvendosur drejt Shqipërisë duke çuar investimet direkte kosovare atje në rreth 100 milionë euro, një rritje prej 32% krahasuar me vitin paraprak. Ndërkaq, stoku total i investimeve kosovare në Shqipëri ka arritur në 450 milionë euro që nga viti 2020.
Kryetari i AKB-së, z. Agim Shahini, tha se ky fenomen nuk është vetëm shprehje e interesit për zgjerim në tregje të reja, por një pasojë direkte e klimës jo të favorshme për biznesin brenda vendit. Sipas tij, bizneset kosovare po largohen për shkak të: mungesës së përkrahjes institucionale, pasigurisë ligjore dhe procedurale, mungesës së stimujve ekonomikë për kapitalin vendor, dhe konkurrencës jo të barabartë në tregun e brendshëm.
“Kapitali është gjaku i ekonomisë – dhe Kosova nuk mund të përparojë duke e humbur gjakun e saj afarist,” theksoi Shahini duke bërë thirrje për masa urgjente për ta ndalur këtë trend të rrezikshëm.
Në këtë drejtim, AKB kërkon:
1. Hartimin e një Pakti Ekonomik Kombëtar, ku të përfshihen institucionet publike, sektori privat dhe diaspora;
2. Reforma strukturore urgjente nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës për të krijuar një ambient më tërheqës për investime të brendshme;
3. Ndërgjegjësim institucional për pasojat afatgjata ekonomike dhe sociale që vijnë nga shpërndarja e kapitalit dhe rënia e besimit në ekonominë vendore.
AKB paralajmëron se nëse nuk merren masa konkrete dhe efektive, shpopullimi ekonomik i vendit mund të ketë pasoja të pakthyeshme për zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës. /Kosova.info/
