Jeff Bezos mban dasmën në Venecia
Një stuhi e papritur ndërpreu festën madhështore para martesës së Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez në Venecia, e mbajtur në ambientet historike të Madonna dell’Orto, sipas Daily Mail.
Yje si Kim Kardashian, Khloe, Kylie Jenner dhe Ivanka Trump u detyruan të kërkonin strehë nën harqet e manastirit, teksa rrufetë dhe shiu i dendur shoqëroheshin me erë të fortë që hodhi në erë mbulesat e tavolinave dhe pengoi festën të përfundonte sipas planit.
Të ftuarit u larguan me nxitim me taksi ujore, ndërsa Lauren u shoqërua nga burra me smoking që mbanin çadra blu mbi të. Edhe pse e lagur, ajo dhe Bezos u panë të qeshur në barkë. Bezos, 61 vjeç, i kishte propozuar Laurës në 2023 me një unazë 3 milionë dollarëshe.
Ceremonia martesore pritet të mbahet të premten, më 27 qershor, në Venecia, me rreth 200 të ftuar, përfshirë Leonardo DiCaprio, Oprah Winfrey, Mick Jagger dhe Tom Brady.
Burime të brendshme kanë konfirmuar se çifti është ligjërisht i martuar prej më shumë se një muaji në SHBA dhe ceremonia në Itali do të jetë vetëm simbolike, pa vlerë ligjore. Gjithashtu, ata kanë firmosur një marrëveshje paramartesore për të mbrojtur pasurinë e Bezos që arrin 244 miliardë dollarë.
Çifti u ka kërkuar të ftuarve të mos sjellin dhurata, por do të bëjnë donacione për organizata që punojnë për të shpëtuar Venecian nga fundosja. Sipas mediave italiane, Bezos do të dhurojë rreth 1.16 milionë dollarë për këtë kauzë.
Ndërkohë, aktivistë nga Greenpeace dhe grupi “Everyone Hates Elon” (të gjithë e urrejnë Elon-in) protestuan kundër dasmës luksoze, duke denoncuar nivelin e ulët të taksave që Bezos paguan. Protestat dhe masa të shtuara sigurie kanë shkaktuar ndërprerje të qarkullimit në kanale dhe anulime të rezervimeve për turistët, shkruan Dailymail.
Pavarësisht polemikave, autoritetet lokale kanë mirëpritur dasmën, duke theksuar përfitimet ekonomike që pritet të sjellë në qytet – deri në 34 milionë dollarë.
