Katër milionë euro për policen e sigurimeve për bashkatdhetarët

Në mbledhjen e stome të Qeverisë së Kosovës u miratua Propozim-vendimi për të ndarë katër milionë euro për policen sigurimit në pikat kufitare, në kuadër të masës “Mbështetja e Mërgatës” të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se polica do të subvencionohet për automjete jokomerciale për pasagjerë deri në nëntë ulëse.

Po ashtu, në mbledhjen e sotme u miratua Propozim-vendimi për ndarjen e mbi 625 mijë eurove për mbështetjen e arsimit dhe lobimin institucional për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Në kudër të kësaj siç tha Kurti përfshihen bursa për studentë, mbështetje për nxënësit, dhe financim të aktiviteteve lobuese dhe avokuese në nivel ndërkombëtar.

Kurti: 4 milionë euro nga masa mbështetëse për mërgatën

“Në kuadër të memorandumit që kemi me Këshillin kombëtar Shqiptar do të ndajmë 625 mijë e 400 euro si mbështetje për arsimin dhe lobimin institucional për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë duke përfshirë bursa për studentë, mbështetje për nxënësit, dhe financim të aktiviteteve lobuese dhe avokuese në nivel ndërkombëtar…Edhe sivjet sikurse vitet e mëparshme, duke filluar nga data 1 korrik të gjithë bashkatdhetarët që udhëtojnë për në Kosovë me automjete për pasagjerë do të mund të marrin policen e sigurimit falas në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse. Polica e subvencionuar do të subvencionohet për automjete jokomerciale për pasagjerë deri në 9 ulëse. Për këtë qëllim sot do të ndajmë 4 milionë euro nga masa mbështetja për mërgatën e Pakos së Ringjalljes Ekonomike”, tha Kurti.

Ndër pikat e ditës në mbledhjen e 263-të të Qeverisë u miratua Propozimi-vendimi për emërimin e Komitetit Ndërministror për shëndetin njerëzor, shtazor, mjedisor “Një shëndet”.

Po ashtu, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati kërkoi shqyrtimin e kërkesës së Agjencisë kosovare të Privatizimit për kthimin e fondeve të transferuara në Buxhetin e Republikës së Kosovës për Ndërmarrjen Shoqërore “Çeliku”.

Murati: Kemi kërkesën e ndërmarrjes ‘Çeliku’ e cila nga AKP ka ardhur me shumën prej 6 mijë e 405 euro

“Fondet nga Agjencia e Privatizimit të Kosovës të rezultuara nga shitja e aseteve apo ndërmarrjeve shoqërore në të kaluarën janë tërhequr nga qeveria me idenë dhe mundësinë ligjore që në rast se lindin obligime më pastaj, qeveria qëndron e gatshme për kthimin e këtyre mjeteve…Kemi kërkesën e ndërmarrjes shoqërore Çeliku e cila nga AKP ka ardhur me shumën prej 6 mijë e 405 euro të cilat duhet të transferohen nga thesari në Agjencinë Kosovare të Privatizimit në mënyrë që të mbulohen këto detyrime”, tha Murati.

Ndër të tjera, gjithashtu u miratua Propozim-vendimi përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore, të cilat janë të nevojshme për realizmin e disa projekteve të Komunës së Hanit të Elezit.


Go to TOP