​Vala e të nxehtit, alarm i kuq në 6 qytete të Italisë

Bolonja, Bolsano, Bresha, Firenca, Perugja dhe Torino kanë shpallur alarmin e kuq për nxehtësinë të enjten dhe vala e të nxehtit që ka goditur Italinë pritet të arrijë kulmin e saj gjatë fundjavës.

Një alarm i kuq i nxehtësisë do të thotë që temperatura është aq e lartë sa bëhet rrezik për njerëzit e shëndetshëm, dhe jo vetëm për ata që janë në rrezik në radhë të parë siç janë të sëmurët dhe të moshuarit.

Numri i qyteteve me alarm të kuq të shpallur pritet të arrijë në trembëdhjetë ditën e premte, njoftoi Ministria italiane e Shëndetësisë, raporton ANSA.

Meteorologu Antonio Sano njoftoi se të dielën termometrat në Firence, Ferrara dhe Terni do të tregojnë dyzet gradë. Në Milano dhe Romë, temperaturat pritet të arrijnë tridhjetenëntë gradë.

“Temperaturat maksimale mund të tejkalojnë rekordet historike edhe nga vala e famshme e nxehtësisë e vitit dymijetre, dhe situata do të jetë e krahasueshme me netët tropikale, në të cilat temperaturat minimale janë mbi njëzet gradë”, shpjegoi Sano, themeluesi i faqes së internetit www.iLMeteo.it.

Një rënie e temperaturave pritet pas ditës së mërkurë, më datë 2 korrik.

Go to TOP