Nis puna për krijimin nga e para e ADN-së artificiale njerëzore
Ka nisur puna për një projekt të debatueshëm që synon krijimin e blloqeve ndërtuese të jetës njerëzore nga e para, në atë që besohet të jetë një risi në rang botëror, raporton BBC.
Kërkimi ka qenë tabu deri tani për shkak të shqetësimeve se mund të çojë në krijimin e foshnjave të dizajnuara ose në ndryshime të paparashikuara për gjeneratat e ardhshme.
Por tani, organizata më e madhe bamirëse mjekësore në botë, Wellcome Trust, ka dhënë fillimisht 10 milionë funte për të nisur projektin dhe thotë se ai ka potencialin të sjellë më shumë të mira sesa të këqija, duke përshpejtuar trajtimet për shumë sëmundje të pashërueshme.
Julian Sale, nga Laboratori i Biologjisë Molekulare i Këshillit të Kërkimeve Mjekësore (MRC) në Kembrixh, që është pjesë e projektit, i tha BBC-së se ky kërkim është hapi gjigant i radhës në biologji.
“Kufiri është qielli. Po punojmë për terapi që do ta përmirësojnë jetën e njerëzve teksa plaken, që do të çojnë në një plakje më të shëndetshme dhe me më pak sëmundje”, tha ai.
“Po kërkojmë ta përdorim këtë qasje për të gjeneruar qeliza rezistente ndaj sëmundjeve që mund të përdoren për të ripopulluar organe të dëmtuara, për shembull në mëlçi, zemër, madje edhe në sistemin imunitar”.
Por kritikët frikësohen se kërkimi hap rrugën për studiues të pandërgjegjshëm që mund të synojnë krijimin e njerëzve të përmirësuar ose të modifikuar.
Pat Thomas, drejtore e grupit fushatues Beyond GM, tha: “Na pëlqen të mendojmë se të gjithë shkencëtarët janë aty për të bërë të mira, por shkenca mund të ripërdoret për të bërë keq dhe për qëllime lufte”.
Detajet e projektit iu dhanë BBC-së në 25-vjetorin e përfundimit të Projektit të Gjenomit Njerëzor, i cili hartoi molekulat në ADN-në njerëzore dhe që gjithashtu u financua në masë të madhe nga Wellcome.
Çdo qelizë në trupin tonë përmban një molekulë të quajtur ADN, që mban informacionin gjenetik që i nevojitet. ADN-ja ndërtohet nga vetëm katër blloqe më të vogla, të quajtura A, G, C dhe T, të cilat përsëriten vazhdimisht në kombinime të ndryshme. Në mënyrë të mahnitshme, ajo përmban gjithë informacionin gjenetik që na formëson fizikisht si qenie njerëzore.
Projekti i Gjenomit Njerëzor i lejoi shkencëtarët të lexonin të gjithë gjenet njerëzore si një kod me shirita. Puna e re që ka nisur tani, e quajtur Projekti Sintetik i Gjenomit Njerëzor, mund të përfaqësojë një hap të madh përpara – ai do t’u mundësojë studiuesve jo vetëm të lexojnë molekulën e ADN-së, por edhe të krijojnë pjesë të saj – ndoshta një ditë të gjithë atë – molekulë pas molekule nga e para.
Qëllimi i parë i shkencëtarëve është zhvillimi i metodave për ndërtimin e blloqeve gjithnjë e më të mëdha të ADN-së njerëzore, deri në pikën kur ata të kenë ndërtuar në mënyrë sintetike një kromozom njerëzor. Këto përmbajnë gjenet që rregullojnë zhvillimin, riparimin dhe mirëmbajtjen tonë.
Këto më pas mund të studiohen dhe testohen për të mësuar më shumë rreth mënyrës si gjenet dhe ADN-ja e rregullojnë trupin tonë.
Shumë sëmundje ndodhin kur këto gjene nuk funksionojnë siç duhet, prandaj studimet mund të çojnë në trajtime më të mira, sipas Matthew Hurles, drejtor i Institutit Wellcome Sanger, i cili sekuencoi pjesën më të madhe të Gjenomit Njerëzor.
“Ndërtimi i ADN-së nga e para na lejon të testojmë se si funksionon realisht ADN-ja dhe të verifikojmë teori të reja, sepse aktualisht mund ta bëjmë këtë vetëm duke manipuluar ADN-në që ekziston tashmë në sistemet e gjalla”.
Puna e projektit do të kufizohet në epruveta dhe pjata laboratorike dhe nuk do të ketë përpjekje për të krijuar jetë sintetike. Por teknologjia do t’u japë studiuesve një kontroll të paparë mbi sistemet njerëzore të gjalla.
Dhe ndonëse projekti synon përfitime mjekësore, nuk ka asgjë që ndalon shkencëtarët e pandërgjegjshëm ta keqpërdorin teknologjinë.
Ata mund, për shembull, të përpiqen të krijojnë armë biologjike, njerëz të përmirësuar apo edhe krijesa që përmbajnë ADN njerëzore, sipas Bill Earnshaw, një shkencëtar i respektuar gjenetik nga Universiteti i Edinburgut, i cili ka krijuar një metodë për ndërtimin e kromozomeve artificiale njerëzore.
“Xhindi ka dalë nga shishja”, tha ai për BBC-në. “Mund të vendosim një sërë kufizimesh tani, por nëse një organizatë me pajisjet e duhura vendos të nisë sintetizimin e çfarëdo gjëje, nuk besoj se mund ta ndalim”.
Thomas është e shqetësuar për mënyrën sesi kjo teknologji do të komercializohet nga kompanitë shëndetësore që zhvillojnë trajtime të dala nga ky kërkim.
“Nëse arrijmë të krijojmë pjesë trupore sintetike apo edhe njerëz sintetikë, atëherë kush i zotëron ata? Dhe kush i zotëron të dhënat që burojnë nga këto krijime?”
Duke marrë parasysh potencialin për keqpërdorim të teknologjisë, pyetja për Wellcome është pse vendosën ta financojnë atë. Sipas Tom Collins, i cili dha miratimin për financimin, vendimi nuk u mor lehtë.
“E pyetëm veten: Cila është kostoja e mosveprimit”, tha ai për BBC-në.
“Kjo teknologji do të zhvillohet një ditë, prandaj të paktën duke e bërë tani, po përpiqemi ta bëjmë në mënyrën më të përgjegjshme të mundshme dhe të përballemi me pyetjet etike dhe morale sa më hapur që të jetë e mundur”.
Një program i dedikuar për shkencat sociale do të zhvillohet paralelisht me zhvillimin shkencor të projektit dhe do të drejtohet nga Joy Zhang, sociologe në Universitetin e Kentit.
“Duam të marrim mendimet e ekspertëve, të shkencëtarëve socialë dhe në veçanti të publikut rreth mënyrës se si ata lidhen me teknologjinë, si mund të jetë e dobishme për ta dhe, më e rëndësishmja, çfarë pyetjesh dhe shqetësimesh kanë”, tha ajo.
