Meta fiton padinë për inteligjencën artificiale
Meta e Mark Zuckerberg ka fituar një betejë ligjore ndaj një grupi autorësh, përfshirë Sarah Silverman dhe Ta-Nehisi Coates, të cilët e paditën kompaninë për përdorimin pa leje të librave të tyre në trajnimin e sistemit të inteligjencës artificiale (AI), raporton The Guardian.
Gjykatësi amerikan Vince Chhabria vendosi se autorët nuk ofruan prova të mjaftueshme që të vërtetonin se ky përdorim dëmtoi tregun për veprat e tyre. Megjithatë, ai theksoi se përdorimi i veprave të mbrojtura për trajnimin e AI mund të jetë i paligjshëm në shumë raste.
Vendimi pason një tjetër fitore për industrinë e AI këtë javë, kur gjykata shpalli se kompania Anthropic nuk kishte shkelur të drejtat e autorit. Megjithatë, Anthropic pritet të përballet me një tjetër gjykim, pasi është akuzuar për ruajtjen e më shumë se 7 milionë librave të piratuar.
Autorët akuzuan Meta-n për “pirateri të paprecedentë”, ndërsa kompania mbrojti përdorimin e të dhënave si “përdorim i ndershëm”, një mbrojtje ligjore që lejon përdorimin e veprave të mbrojtura në rrethana të caktuara.
Gjykatësi paralajmëroi se AI gjeneruese mund të minojë rëndë tregun për përmbajtjet krijuese dhe motivimin për të krijuar, duke prodhuar libra, artikuj, këngë apo imazhe në mënyrë masive dhe pa kreativitet njerëzor.
