Rama pret Ambasadorin italian: Bashkëpunim në kulturë, urbanizëm dhe zhvillim të qëndrueshëm
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, mirëpriti sot në një takim kortezie Ambasadorin e Italisë në Kosovë, z. Maurizio Antonini, dhe Zëvendësambasadoren znj. Chiara Castaldo, në ambientet e Odës së Komunës.
Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë në fushat e kulturës, urbanizmit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në kryeqytet.
Kryetari Rama shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Kosovës ndër vite, si dhe për përkrahjen konkrete që Ambasada italiane ka treguar ndaj projekteve zhvillimore në Prishtinë.
“Në këtë takim miqësor dhe frytdhënës, riafirmuam përkushtimin për bashkëpunim të ngushtë dhe të qëndrueshëm në shërbim të qytetarëve tanë,” deklaroi Rama. /Kosova.info/
