Basha optimist se LVV-ja nuk do të ndëshkohet nga qytetarët
Deputeti i LVV-së, Dimal Basha, ka thënë se partia e tij nuk do të ndëshkohet nga qytetarët në rast të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pasi siç tha, ata nuk janë bllokues në Kuvend.
Sipas tij, bllokues janë partitë e tjera parlamentare të cilat nuk po votojnë për zgjedhjen e trupave të Kuvendit, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Duke hyrë në objektin e Kuvendit në përpjekjen 36-të të konstituimit të legjislaturës së nëntë, Basha tha se qytetarët do të ndëshkojnë partitë tjera në Kuvend.
Madje në disa raste ai edhe polemizoi me gazetarë.
“Ne kemi kandidu Albulena Haxhiun dhe s’ka vërejtje as prej juve dhe qytetarëve për atë. Është i paarsyeshëm qëndrimi kundër dhe opozita duhet të ruajë këtë energji kundër Serbisë dhe jo me e luftu Albulenën. Kryesia i takon LVV-së, PDK-së, LDK-së dhe dy anëtarëve të komuniteteve. Pra Kushtetuta ka caktuar se kryesia iu takon të gjithëve… Për neve me rëndësi është se kush është bllokuesi. Si deputet, unë po vij për dhe qytetari do të ndëshkojë atë që nuk voton”, theksoi ai.
