MINT fton qytetarët të raportojnë parregullsitë në tregun e naftës
Ministria e Industrisë, e Ndërmarrësisë dhe e Tregtisë ka intensifikuar mbikëqyrjen e tregut të derivateve të naftës përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve, rritjen e transparencës, garantimin e konkurrencës së drejtë dhe eliminimin e çrregullimeve në treg.
Në kuadër të këtij angazhimi, gjatë gjithë javës – përfshirë edhe ditën e sotme – katër ekipe të Inspektoratit janë në terren duke kryer inspektime ndaj operatorëve ekonomik që merren me tregtimin e produkteve të naftës në të gjitha rajonet e vendit.
Ministria ka njoftuar se gjatë ditës së sotme do të publikohet raporti përfundimtar mbi inspektimet e realizuara, për të informuar publikun mbi gjetjet dhe masat eventuale të marra ndaj shkelësve të ligjit.
Qytetarët ftohen që të jenë pjesë aktive e këtij procesi dhe të raportojnë çdo parregullsi apo mashtrim të mundshëm që kanë hasur gjatë furnizimit me derivate të naftës. Raportimi mund të bëhet në mënyrë të lehtë dhe pa pagesë në këto kanale:
📞 Numri falas: 0800 11000
📧 Email: [email protected]
Ministria rithekson përkushtimin e saj për mbrojtjen e konsumatorit, sigurimin e një tregu të drejtë dhe funksional, si dhe për zbatimin e ligjshmërisë në tregun e derivateve të naftës. /Kosova.info/
