Dy policë të arrestuar në Pejë për keqpërdorim të pozitës zyrtare – IPK dhe Prokuroria vazhdojnë hetimet
Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), në koordinim dhe me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë, kanë vazhduar ndërmarrjen e veprimeve hetimore ndaj personave të dyshuar të përfshirë në vepra penale.
Sipas njoftimit zyrtar, veprimet hetimore kanë përfshirë intervistimin e disa personave të lidhur me rastin, përfshirë edhe të dyshuarit.
Pas një pune intensive nga Prokurori i Shtetit dhe hetuesit e IPK-së, janë arrestuar dy zyrtarë policorë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Me vendim të prokurorit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
IPK ka bërë të ditur se me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë do të ndërmerren edhe veprime të tjera hetimore në drejtim të zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që lidhen me këtë rast.
Hetimet janë në vazhdim, ndërsa institucionet kanë theksuar përkushtimin për të garantuar llogaridhënie dhe sundim të ligjit në të gjitha nivelet. /Kosova.info/
