Hoti: Kriza energjetike po rrënon ekonominë – pasiguria po dëmton investimet dhe prodhimin

Ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka ngritur alarmin për gjendjen e rëndë energjetike në Kosovë duke e quajtur atë një faktor rrënues për ekonominë e vendit dhe një kërcënim serioz për investimet dhe sektorin prodhues.

Sipas Hotit, mungesa e qartësisë në furnizimin me energji elektrike po ndikon negativisht në planet investuese, si aktuale ashtu edhe ato të ardhshme. Ai thekson se problemi nuk lidhet vetëm me çmimet e larta dhe të paparashikueshme, por edhe me pasigurinë në furnizim.

“Asnjë masë nuk është marrë tash e sa vite,” thotë Hoti duke shtuar se blloqet e termocentraleve Kosova A dhe B vazhdojnë të bien nga sistemi, pasi tenderët për mirëmbajtje dhe rinovim janë shtyrë me vite të tëra.

Ai rikujton gjithashtu anulimin e centralit me gaz të planifikuar në kuadër të Marrëveshjes së Uashingtonit në vitin 2021, dhe faktin se fondet për këtë projekt u ridestinuan për ndërtimin e një parku baterish, i cili gjithashtu nuk u realizua duke rezultuar në humbjen e plotë të mjeteve për shkak të ndryshimeve në prioritetet amerikane.

Hoti paralajmëron se futja e Kosovës në tregun e hapur energjetik pa siguruar kushtet e nevojshme paraprake “do të jetë shkatërruese për shumë prodhues” duke kërcënuar mijëra vende pune dhe duke dobësuar konkurrueshmërinë e prodhuesve kosovarë si në tregun e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Në përfundim, ai shpreh shqetësimin se kjo krizë do ta thellojë më tej deficitin tregtar të Kosovës dhe do ta godasë fort bazën ekonomike të vendit. /Kosova.info/


Go to TOP