Ajvazi nga Shoqata e Prodhuesve: Rrezik real për kolaps energjetik – kërkohet kursim urgjent i rrymës
Kushtrim Ajvazi nga Shoqata e Prodhuesve të Kosovës ka reaguar ashpër ndaj situatës së rëndë me furnizimin me energji elektrike në vend duke e cilësuar si të dhimbshme dhe të papranueshme.
Ai tha se paralajmërimet për krizën energjetike janë bërë vazhdimisht nga ana e shoqatës, por institucionet nuk kanë marrë masa për ta parandaluar situatën që tashmë është bërë realitet.
“Është e dhimbshme çka po ndodh me energjinë elektrike në vendin tonë… Sinqerisht, e dhimbshme dhe e papranueshme. Kemi paralajmëruar ditë e natë, pa ndalur, për pasojat që do të vijnë nëse nuk merren masa. Sot, kjo po ndodh. Fatkeqësisht”, u shpreh Ajvazi.
Duke iu referuar njoftimeve të fundit nga KESCO për domosdoshmërinë e importit të energjisë me kosto të larta, Ajvazi tha se kjo nuk është thjesht një çështje teknike, por një sinjal alarmi që rrezikon seriozisht stabilitetin ekonomik të vendit, vendet e punës dhe sigurinë energjetike.
Në fund të reagimit, ai apeloi për mobilizim të përgjithshëm dhe kursim sa më të madh të energjisë elektrike:
“Ju lutemi kurseni sa më shumë energjinë elektrike sepse jemi para një kolapsi të tmerrshëm!”.
Shoqata e Prodhuesve paralajmëron se nëse nuk merren masa urgjente për rritjen e kapaciteteve të brendshme prodhuese të energjisë, pasojat do të thellohen edhe më shumë gjatë muajve të ardhshëm. /Kosova.info/
