KMDLNj: Gjykata Speciale në Hagë po dhunon të drejtat e njeriut – Rasti i avokatit Artan Qerkini, shembull i një drejtësie të paragjykuar

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për të penguar avokatin Artan Qerkini që të jetë pjesë e ekipit mbrojtës të Fadil Fazliut, i cili po përballet me akuza të ngritura nga kjo gjykatë. Sipas KMDLNj-së, ky është një veprim që përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut, të garantuara me konventa ndërkombëtare dhe Kushtetutën e Kosovës.

KMDLNj e krahasoi këtë situatë me periudhën e ish-Jugosllavisë dhe regjimit serb, kur shqiptarët burgoseshin për “propagandë armiqësore” – një nen që shërbente për represion politik. Sot, sipas KMDLNj-së, të njëjtin rol po e luan neni për “pengim të drejtësisë”, i cili përdoret nga Gjykata Speciale për të heshtur zërat kundër dhe për të ndëshkuar ish-ushtarë të UÇK-së, të burgosur politikë dhe kundërshtarë të kësaj gjykate.

Organizata kritikon mungesën e transparencës dhe llogaridhënies së Gjykatës, si dhe rolin pasiv të institucioneve të Kosovës. Sipas KMDLNj-së, Qeveria e Kosovës ka reduktuar përkrahjen financiare për mbrojtjen e të akuzuarve, nuk ka dhënë garanci për lirimin me kusht, dhe ka bërë vizita selektive në Hagë duke injoruar kategorikisht kërkesat për drejtësi dhe trajtim të barabartë.

Veçanërisht shqetësues për KMDLNj-në është refuzimi i Gjykatës Speciale për të lejuar avokatin Artan Qerkini, një njohës i procedurave dhe mbrojtës aktiv i të drejtave të njeriut, që të mbrojë Fadil Fazliun, me arsyetimin e një “konflikti interesi”. Sipas Këshillit, ky është një manipulim juridik për të penguar një mbrojtje efektive dhe për të imponuar një proces të dirigjuar.

Artan Qerkini ka qenë i pranishëm në shumë bastisje të kryera nga kjo gjykatë dhe ka identifikuar shkelje të shumta, të cilat nuk janë ngritur as nga mbrojtësit ndërkombëtarë, e as nga i ashtuquajturi Avokat i Popullit i GJSR-së. Ai ka fituar disa raste para Gjykatës Kushtetuese të kësaj gjykate dhe ka siguruar pafajësi për klientët e tij duke dëshmuar profesionalizëm dhe përkushtim.

KMDLNj thekson se e drejta për të zgjedhur avokatin mbrojtës është një nga të drejtat themelore të njeriut, dhe nëse kjo e drejtë mohohet, atëherë nuk mund të flitet për një proces të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar politikisht. Këshilli e cilëson këtë një akt përjashtues dhe paragjykues, që bie ndesh me standardet ndërkombëtare, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Rregullat e Nelson Mandelës për trajtimin e të burgosurve.

KMDLNj kërkon që menjëherë të anulohet vendimi diskriminues ndaj avokatit Artan Qerkini dhe që t’i mundësohet Fadil Fazliut mbrojtja që ai ka zgjedhur vetë, në përputhje me të drejtën elementare për një proces të drejtë. Sipas tyre, Gjykata Speciale në Hagë nuk mund të pretendojë respektim të drejtësisë ndërkombëtare duke ushtruar praktika që në vetvete përbëjnë dhunim juridik. /Kosova.info/

Go to TOP