Rama nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi me Odën e Arkitektëve
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me Odën e Arkitektëve të Republikës së Kosovës (OARK), me qëllim të forcimit të standardeve të projektimit urban dhe zhvillimit hapësinor në Kryeqytet.
Nëpërmjet këtij partneriteti të ri, Komuna synon të avancojë politikat e planifikimit urban me më shumë vizion, transparencë dhe përfshirje të ekspertizës profesionale.
“Ky bashkëpunim do të na ndihmojë të ndërtojmë një Kryeqytet më funksional, të mirëprojektuar dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët tanë,” deklaroi Rama duke falënderuar Kryetarin e OARK-së, Uran Kyçyku, për vullnetin dhe angazhimin në këtë proces.
Ky memorandum pritet të shërbejë si bazë për përfshirjen më të gjerë të komunitetit të arkitektëve në projektet zhvillimore të Prishtinës dhe në garantimin e cilësisë në transformimin urban të qytetit. /Kosova.info/
