Rama: Ndërpritet greva e punëtorëve të “Pastrimi”, u arrit marrëveshje për pagesat dhe shërbimet
Greva e punëtorëve të Ndërmarrjes Rajonale “Pastrimi” në Prishtinë është ndërprerë zyrtarisht, pas një marrëveshjeje të arritur mes përfaqësuesve të punëtorëve dhe Komunës së Prishtinës. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bëri të ditur sot se palët janë pajtuar për një sërë masash konkrete që garantojnë zgjidhje të ligjshme dhe në interes të qytetarëve dhe punëtorëve.
“Ne kemi qenë gjithmonë në krah të punëtorëve dhe të drejtës së tyre për punë e pagë. Kemi zhvilluar takime të vazhdueshme dhe kemi ofruar zgjidhje konkrete, të cilat sot janë pranuar edhe nga përfaqësuesit e punëtorëve, dhe si rezultat, greva është ndërprerë,” deklaroi Rama.
Ai theksoi se gjatë kësaj periudhe, Komuna ka kërkuar nga Kuvendi Komunal që të miratojë subvencionimin e pagave për punëtorët si një masë urgjente, por kjo është refuzuar nga opozita.
Për marrëveshjen e arritur, Kryetari Rama bëri të ditur se janë rënë dakord për këto tre pika kryesore:
1. Çështja e pagesës për periudhën janar–maj do të adresohet në Gjykatën kompetente përmes një procesi të ndërmjetësimit dhe marrëveshjes ligjore.
2. Pas vendimit të Gjykatës Supreme, KRM “Pastrimi” do të bëjë vetë inkasimin e pagesave për shërbimin e mbledhjes së mbeturinave.
3. Mjetet e inkasuara deri më tani nga Komuna, do t’i transferohen menjëherë ndërmarrjes “Pastrimi”.
Në fund, Rama siguroi qytetarët e Prishtinës se të gjitha pagesat që ata kanë kryer gjatë këtij viti për këtë shërbim në Komunë do të njihen dhe do t’i kalojnë në listën e pagesave që i dërgohen ndërmarrjes “Pastrimi”.
Kryetari gjithashtu akuzoi menaxhmentin aktual të “Pastrimi” për përkeqësim të situatës dhe për keqinformim të punëtorëve për qëllime politike duke e lënë qytetin pa shërbim, gjë që, sipas tij, ka rrezikuar edhe shëndetin publik.
“Ne mbetemi të përkushtuar për një zgjidhje të drejtë, ligjore dhe në shërbim të qytetarëve dhe punëtorëve të ndërmarrjes,” përfundoi Rama. /Kosova.info/
