Abdixhiku lavdëron punët në Prishtinë: Unaza e brendshme po bëhet, me ritëm e përkushtim të jashtëzakonshëm

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar lart zhvillimet infrastrukturore në Kryeqytet duke veçuar veçanërisht përparimin në ndërtimin e unazës së brendshme të Prishtinës – një arterie e re urbane që po realizohet me një ritëm të shpejtë dhe punë të pandalshme.

Në një reagim publik, Abdixhiku ka shprehur kënaqësinë e tij për mënyrën se si po ecën puna në terren duke theksuar se ky është shembulli më i mirë i politikës si shërbim ndaj qytetarit. Ai ka ndarë një lëvdatë të veçantë për Sokol Havollin, drejtorin e investimeve kapitale në Komunën e Prishtinës, për angazhimin dhe praninë e tij të vazhdueshme në terren pranë ekipeve punuese.

“Vetëm në pak muaj në këtë detyrë, Havolli po i jep mjeshtërisht përfundim projekteve madhore të nisura më parë duke siguruar vazhdimësi të mirë dhe efektive të investimeve në qytet,” shkroi Abdixhiku.

Ai theksoi se këto investime nuk janë vetëm pjesë e një programi politik, por mishërim i vlerave që LDK promovon: përkushtim, seriozitet dhe shërbim ndaj qytetarit.

Sipas tij, projektet infrastrukturore po shënojnë përparime konkrete: dje u vendosën shtyllat e ishullit të Arbërisë, që lidh këtë lagje me 30 mijë banorë me qendrën e qytetit; sot nisi zyrtarisht shtrirja e unazës së brendshme nga Rrethi i Fushë Kosovës deri tek Pallati i Rinisë; nesër pritet vazhdimi i lidhjes së Rrugës B me Rrugën A dhe me Veternikun – një superprojekt që po ecën drejt përfundimit. Ndërkohë, në zhvillim të njëkohshëm janë edhe Kurrizi, Velania e Sheshi.

“Prishtina po ecën. Me punë. Me ritëm. Me përkushtim. Me njerëz të mirë. Do të vazhdojmë kështu,” përmbylli Abdixhiku, duke përçuar një mesazh besimi dhe optimizmi për qytetin dhe për vizionin e LDK-së në qeverisjen lokale. /Kosova.info/

Go to TOP