“Pastrimi” reagon pas vendimit të OSHP-së: Nuk do të lejojmë falimentimin, Komuna po vepron jashtëligjshëm

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” SH.A ka reaguar pas vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i cili refuzoi të shqyrtojë ankesën e kësaj kompanie lidhur me tenderin prej 16.5 milionë euro të shpallur nga Komuna e Prishtinës për përfshirjen e operatorëve privatë në ofrimin e shërbimeve të pastrimit.

Sipas “Pastrimit”, OSHP ka deklaruar se nuk ka juridiksion për ta trajtuar këtë rast – një vendim që kompania e cilëson si “të paprecedentë dhe të pajustifikueshëm” duke theksuar se rasti hyn qartazi në fushëveprimin e këtij institucioni që mbikëqyr prokurimin publik.

Në reagim thuhet se vendimi i OSHP-së nuk i jep të drejtë Komunës së Prishtinës, dhe se kontesti mbetet në kompetencë të gjykatave dhe institucioneve të tjera mbikëqyrëse. “Pastrimi” rikujton se Gjykata Supreme tashmë ka marrë një vendim të qartë që ndalon tenderimin dhe angazhimin privat për menaxhimin e mbeturinave nga ana e Komunës, vendim të cilin OSHP-ja, sipas tyre, nuk e ka marrë parasysh.

“Do të dorëzojmë ankesë ndaj këtij vendimi dhe do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore për të mbrojtur të drejtën tonë. Nuk do të lejojmë që Komuna e Prishtinës, përmes veprimeve të saj të qëllimshme, të çojë drejt falimentimit një ndërmarrje publike që u shërben qytetarëve të kryeqytetit,” thuhet në reagimin e kompanisë.

KRM “Pastrimi” përfundon se çdo veprim i mëtejmë nga ana e Komunës që shkel vendimin e Gjykatës Supreme është i jashtëligjshëm dhe do të kundërshtohet me mjete ligjore. /Kosova.info/


Go to TOP