AVONET: OSHP po dëmton interesin publik duke lejuar një proces të dyshimtë prokurimi

Rrjeti i OJQ-ve AVONET ka reaguar ashpër ndaj një vendimi të fundit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) duke e akuzuar këtë institucion për shkelje ligjore dhe administrative në trajtimin e një procesi të dyshimtë prokurimi. Sipas AVONET, OSHP ka dështuar të mbrojë interesin publik duke mos e shqyrtuar në përmbajtje këtë rast, pavarësisht pasojave të mundshme financiare dhe institucionale.

“Vendimi është marrë pa siguruar disponueshmërinë e fondeve siç e kërkon ligji duke përbërë një tjetër shkelje ligjore dhe administrative,” thuhet në reagim.

AVONET i ka bërë thirrje OSHP-së që ta rishqyrtojë me urgjencë këtë rast duke paralajmëruar se do ta adresojë çështjen në Prokurorinë e Shtetit për të hetuar procedurat dhe vendimmarrjen përkatëse.

Organizata thekson se institucionet nuk duhet të veprojnë në mënyrë përjashtuese ndaj ndërmarrjeve publike, veçanërisht kur ato janë në pronësi të vetë autoriteteve kontraktuese dhe kanë dëshmuar kapacitete të plota operacionale.

“Të veprosh ndryshe është të përjashtosh vetveten, të dëmtojë buxhetin publik dhe të favorizosh operatorë të caktuar në mënyrë të paarsyeshme,” thekson AVONET duke shtuar se do të vazhdojë të ndjekë këtë rast nga afër dhe të angazhohet për ligjshmëri dhe mbrojtje të interesit publik në të gjitha procedurat e prokurimit në Kosovë. /Kosova.info/


Go to TOP