LBK kërkon pezullimin e menjëhershëm të vendimit të ZRRE-së: Sulm ndaj prodhuesve vendorë dhe ekonomisë së Kosovës

Shoqata e Prodhuesve të Kosovës, në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës (LBK), ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) duke e cilësuar atë si të padrejtë, të njëanshëm dhe thellësisht të dëmshëm për sektorin privat.

Sipas LBK-së, vendimi i ZRRE-së dëmton rëndë prodhuesit vendorë, fabrikat dhe bizneset duke rrezikuar stabilitetin ekonomik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës. “Ky vendim nuk reflekton nevojat reale të ekonomisë dhe sakrificat e sektorit privat në ndërtimin e vendit. Bizneset tona dhe punëtorët tanë nuk mund të jenë viktima të papërgjegjësisë institucionale,” thuhet në reagim.

LBK njofton se nuk do të ndalet deri në rrëzimin e këtij vendimi, të cilin e konsideron si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj prodhimit vendor, konkurrueshmërisë dhe vetë stabilitetit ekonomik të vendit.

Në këtë kontekst, LBK ka bërë një thirrje publike për unitet dhe reagim institucional duke kërkuar përkrahjen e Kuvendit të Kosovës, Qeverisë, odave ekonomike, sindikatave dhe shoqërisë civile. “Nuk është vetëm interes i biznesit – është mbrojtje e punës, e dinjitetit dhe e së ardhmes së Republikës së Kosovës,” thekson LBK.

Duke paralajmëruar veprime të mëtejshme, LBK bën të ditur se do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm institucionalë, ligjorë dhe demokratikë për të korrigjuar këtë vendim dhe për të mbrojtur interesin kolektiv të bizneseve dhe qytetarëve.

“Çdo vonesë është dëm ekonomik. Çdo heshtje është bashkëfajësi. Bashkë për drejtësi ekonomike. Bashkë për Kosovën!”, përfundon deklarata e LBK-së. /Kosova.info/


Go to TOP