LDK në Chablais të Zvicrës intensifikon përgatitjet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025
Është mbajtur një takim pune i kryesisë së Nëndegës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Chablais të Zvicrës, me fokus të veçantë përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.
Gjatë takimit, kryesia e Nëndegës analizoi në detaje hapat organizativë dhe strategjitë për masovizimin e votës duke e cilësuar këtë si një detyrë parësore që kërkon angazhim të vazhdueshëm nga të gjitha strukturat e LDK-së në diasporë.
Takimi u vlerësua si shumë i frytshëm edhe për shkak të pjesëmarrjes së Sekretarit të Degës Perëndimore të LDK-së, z. Ismet Mjaki. Ai shprehu entuziazëm për nivelin e organizimit dhe përkushtimin e anëtarëve të Nëndegës në Chablais duke nënvizuar rëndësinë e unitetit dhe mobilizimit të plotë të mërgatës në mbështetje të vizionit politik të LDK-së.
Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mëtejshëm të pranisë së LDK-së në diasporë dhe drejt suksesit në zgjedhjet lokale të ardhshme. /Kosova.info/
