​Mediat izraelite: Kina e Rusia mbështesin Iranin në dërgesat ajrore të raketave

Kina dhe Rusia dyshohet se po mbështesin Iranin në transportimin e dërgesave ajrore që përfshijnë edhe raketa.

Sipas Channel 14 izraelit, Kina dhe Rusia po ndihmojnë Iranin në transportimin e dërgesave ajrore që përfshijnë raketa mes konfliktit të vazhdueshëm midis Teheranit dhe Tel Avivit.

Si Pekini ashtu edhe Moska e kanë dënuar Izraelin për sulmet ndaj Iranit, por nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme ndaj pretendimit nga pala kineze dhe as nga pala ruse.

Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi të shtunën i shprehu mbështetje të plotë Iranit. Diplomati më i lartë kinez tha se mjetet diplomatike për të zgjidhur çështjen bërthamore të Iranit “nuk ishin shteruar ende”.

Më 6 qershor, SHBA vendosi sanksione ndaj 10 individëve dhe 27 subjekteve, të cilat Uashingtoni tha se ishin të lidhura me rrjetin financiar të Iranit, përfshirë Hong Kongun.

Firmat e sanksionuara me seli në Hong Kong janë Hero Companion Limited, Plzcome Limited dhe Kinlere Trading Limited, ndër të tjera, sipas të përditshmes South China Morning Post.

Sipas Wall Street Journal Irani ka porositur mijëra ton përbërës për raketa balistike nga Kina. Duke cituar “njerëz të njohur me transaksionin”, ajo pretendoi se Teherani po kërkonte të “rindërtonte aftësitë e tij ushtarake ndërsa diskuton të ardhmen e programit të tij bërthamor me SHBA”.

Gazeta shkruan se dërgesat e perkloratit të amonit “pritet të arrijnë në Iran në muajt e ardhshëm dhe mund të furnizojnë me karburant qindra raketa balistike”.

E përditshmja amerikane tha se entiteti iranian i njohur si Pishgaman Tejarat Rafi Novin Co. kishte “porositur përbërësit e raketave në muajt e fundit nga Lion Commodities Holdings Ltd me seli në Hong Kong”.

Izraeli nisi sulme ajrore në të gjithë Iranin, duke përfshirë objektet ushtarake dhe bërthamore, duke bërë që Teherani të nisë sulme hakmarrëse. Autoritetet izraelite thanë se të paktën 13 persona u vranë dhe mbi 370 të tjerë u plagosën në sulmet me raketa iraniane që nga e premtja.


Go to TOP