Shoqata e Prodhuesve të Qumështit organizon Ditën Fushore në fermën “Milky Way” në Gurakoc

Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës ka organizuar me sukses Ditën Fushore në fermën moderne “Milky Way” në Gurakoc, një aktivitet që bashkoi fermerë të përkushtuar dhe ekspertë të fushës bujqësore për të shkëmbyer përvoja dhe njohuri të vlefshme.

Fokusi i aktivitetit ishte procesi i sillazhimit të tritikales, një ushqim i rëndësishëm dhe cilësor për kafshët. Pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin nga afër të gjitha fazat e këtij procesi, si dhe të mësojnë për teknikat më të avancuara të kultivimit dhe përpunimit të kësaj kulture bujqësore.

Gjatë ditës fushore u prezantuan metoda praktike që mund të zbatohen lehtësisht në fermat vendore duke kontribuar kështu në përmirësimin e cilësisë së ushqimit për bagëtinë dhe në rritjen e efikasitetit të prodhimit të qumështit.

Shoqata ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit për bashkëpunimin, interesimin dhe përkushtimin ndaj zhvillimit të bujqësisë dhe blegtorisë në Kosovë duke theksuar se aktivitete të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen me qëllim të fuqizimit të sektorit të qumështit në vend. /Kosova.info/

Go to TOP