Haziri: “Floil” dhe prodhuesit vendorë janë krenaria e Gjilanit, Anamoravës dhe Kosovës
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka vizituar fabrikën e vajit “Floil” në Gjilan, një nga ndërmarrjet model të prodhimit vendor në vend. Vizita u zhvillua në mbështetje të prodhuesve vendorë, në kohën kur sektori i biznesit po përballet me sfida të mëdha për shkak të krizës energjetike.
Bashkë me nënkryetaren e LDK-së, Hykmete Bajrami – e cila udhëheq politikat e partisë për sektorin ekonomik – si dhe me kandidatin për kryetar të Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, deputetin Krenar Xhaferi, kryetarin e Vitisë, Sokol Haliti, dhe kryetarët e degëve të LDK-së në Anamoravë: Jeton Biqkaj (Kamenicë), Bajrush Ymeri (Novobërdë) dhe Përparim Rexha (Kllokot), Haziri vlerësoi “Floil”-in si një shembull të shkëlqyer të suksesit të prodhimit vendor.
“Floil” me punë, cilësi dhe vizion e ka kthyer prodhimin vendas në një krenari kombëtare, tha Haziri duke e cilësuar si një aset strategjik jo vetëm për Anamoravën, por për gjithë Kosovën.
Në deklaratën e tij, Haziri kritikoi Qeverinë Kurti për, siç tha ai, vendime të papërgjegjshme që kanë sjellë rritje drastike të tarifave të energjisë elektrike dhe pasiguri për investitorët. Ai theksoi se LDK-ja do të vazhdojë të jetë zëri i sipërmarrësve, partner i prodhuesve dhe garantues i një qeverisjeje që vë zhvillimin ekonomik dhe punësimin në qendër të agjendës së saj.
“Bizneset si Floil nuk janë vetëm vende pune, por garanci për zhvillim, eksport, qëndrueshmëri ekonomike dhe pavarësi energjetike e ushqimore”, tha Haziri.
LDK shpreh përkushtimin e saj për të ndërtuar politika të mençura dhe për të ofruar mbështetje të qëndrueshme për prodhimin vendas duke e parë atë si një shtyllë të zhvillimit ekonomik të vendit. /Kosova.info/
