Kelmendi dhe Hajdaraj presin PSSP Caroline Ziadeh: Diskutim për sundimin e ligjit dhe forcimin e sistemit prokurorial

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, së bashku me Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Ardian Hajdaraj, kanë pritur në takim Përfaqësuesen Speciale të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (PSSP), znj. Caroline Ziadeh, me bashkëpunëtorë.

Në këtë takim u diskutuan progresi, sfidat dhe prioritetet institucionale, me theks të veçantë ato që kanë të bëjnë me avancimin e sundimit të ligjit, forcimin e pavarësisë dhe integritetit të sistemit prokurorial, ofrimin e qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe rritjen e besimit të publikut në punën e institucionit të Prokurorit të Shtetit.  

Përfaqësuesja Speciale vlerësoi përpjekjet proaktive të sistemit prokurorial për ndërtimin e një sistemi të drejtë, efikas dhe gjithëpërfshirës, ndërsa shprehu gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen përmes resurseve humane profesionale, ndihmës teknike dhe ndërtimit të kapaciteteve institucionale.  

U.d. Kryeprokurori Kelmendi dhe Kryesuesi Hajdaraj falënderuan znj. Ziadeh për mbështetjen  dhe ritheksuan përkushtimin e plotë të institucioneve që përfaqësojnë për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë në fushat me interes të përbashkët. /Kosova.info/

Go to TOP