“Kosova e lirë, përjetë krenare” – Presidentja Osmani përkujton 12 qershorin e çlirimit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 12 qershorin – ditën e çlirimit të vendit – me një mesazh mirënjohjeje për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe forcat e NATO-s që sollën lirinë mbi tokën e djegur të Kosovës.
“Në këtë ditë, 26 vjet më parë, mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa: 50 mijë ushtarë të NATO-s hynë në vendin tonë të stërvuajtur duke kontribuar në çlirimin e një populli që ishte shtypur me shekuj, e mbi një milion shqiptarë u kthyen në shtëpitë e tyre”, shkroi Osmani.
Ajo theksoi se luftëtarët e UÇK-së dhe trupat e NATO-s kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë duke sjellë dritë pas një errësire të gjatë. “Në atë ditë historike, ata sollën dritë pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet”, deklaroi Presidentja.
Duke iu referuar përpjekjeve për të rishkruar të kaluarën, Osmani tha se “një histori e shkruar me gjak nuk mund të ndryshohet e as fshihet nga gënjeshtra të shkruara me laps”.
Ajo e përmbylli mesazhin e saj me një thirrje të fuqishme për të nderuar sakrificën:
“Kosova e lirë, e pavarur, demokratike, e përjetshme! Sepse përjetësinë ia dhanë dëshmorët e martirët e lirisë!”
