Komuna e Vitisë shpall të mërkurën Ditë Zie pas humbjes tragjike të tre të rinjve

Komuna e Vitisë ka shpallur të mërkurën, 11 qershor 2025, Ditë Zie, pas vdekjes tragjike të tre të rinjve vitias brenda një periudhe prej vetëm tre ditësh.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti, i cili në një njoftim publik u shpreh i pikëlluar për humbjet e rënda që kanë tronditur thellë komunitetin.

“Me pikëllim të thellë dhe zemër të rënduar ju njoftoj se këto ditë, komuna jonë është tronditur nga tri humbje të mëdha. Brenda vetëm tre ditësh, kemi humbur tre të rinj vitias – bij e bija të kësaj toke, që u ndanë nga jeta në mënyrë të parakohshme dhe tragjike”, thuhet në deklaratën e kryetarit Haliti.

Në kuadër të masave për Ditën e Zisë, Komuna e Vitisë ka paralajmëruar:

Uljen e flamujve në gjysmështizë në të gjitha institucionet komunale;

Pezullimin e aktiviteteve kulturore, sportive dhe festive;

Nderimin e të ndjerëve me heshtje dhe respekt të thellë nga ana e qytetarëve dhe institucioneve.

Kryetari Haliti u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në këtë ditë zie për të shprehur solidaritet me familjet e prekura dhe për të nderuar kujtimin e të rinjve të ndjerë.

“Ngushëllimet më të sinqerta familjeve të prekura. Zoti ua lehtësoftë dhimbjen dhe i pastë të ndjerët në mëshirën e Tij,” përfundon njoftimi. /Kosova.info/


Go to TOP