Besard Isufi jep dorëheqje nga Vetëvendosje në Kamenicë: Denoncon padrejtësi në konkursin për infermierë
Besard Isufi, aktivist i angazhuar për katër vite në degën e Lëvizjes Vetëvendosje në Kamenicë, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga kjo parti duke shprehur zhgënjim të thellë me mënyrën e qeverisjes komunale dhe trajtimin e padrejtë të aktivistëve.
Në një reagim publik, Isufi ka theksuar se arsyeja kryesore për largimin është konkursi i fundit për infermierë, për të cilin ai pretendon se është manipuluar. “Si është e mundur që një aplikues me notë mesatare 9.4 të mos pranohet vetëm pse është motra ime?”, pyet ai duke akuzuar se përfituesit janë të afërm të bashkëpunëtorëve të kryetarit në largim, Qëndron Kastrati-Rahimaj. Sipas tij, edhe mënyra e zhvillimit të testit është e dyshimtë, pasi disa kandidatë e kanë përfunduar përfshirë edhe esenë brenda vetëm 10 minutash, gjë që, sipas tij, dëshmon se testet janë shpërndarë paraprakisht.
Isufi u kërkoi falje bashkëpunëtorëve të tij dhe konfirmoi se nuk do të garojë për Asamblenë Komunale, jo për mungesë kapaciteti, por për shkak të zhgënjimit moral dhe politik. Ai rikujtoi kontributin e tij të gjatë dhe të palodhur për Vetëvendosjen duke përmendur pjesëmarrjen në protesta dhe angazhimin për fitoren e partisë.
Në fund të njoftimit, Isufi uroi kandidatët e pranuar në konkursin për infermierë, por theksoi se mënyra e pranimit nuk përputhet me vlerat e betimit profesional në mjekësi. Ai përfundoi mesazhin me një deklaratë të fortë politike: “Shihemi në zgjedhje, dhe me shpresë të shihemi në humbjen e pushtetit. Unë do të jem gjithmonë faqebardhë, e ju të mllefosur dhe të inatosur nga humbja.”
Dorëheqja e Isufit ka ngjallur reagime të menjëhershme në rrjetet sociale dhe pritet të ketë jehonë në zhvillimet e brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje në Kamenicë. /Kosova.info/
