BDI kërkon përgjegjësi për diskriminimin etnik në avancimet në SPB Tetovë

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim lidhur me informacionet që kanë dalë në opinion publik për punësimet dhe avancimet e fundit në kuadër të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, përkatësisht në njësinë për Policinë Kriminale.

“Sipas të dhënave të siguruara, nga konkursi i fundit i brendshëm janë avancuar 12 të punësuar të përkatësisë maqedonase dhe vetëm 1 shqiptar, çka përbën një disproporcion flagrant dhe diskriminues në përfaqësimin etnik”, thekson BDI.

Sipas BDI-së, është e papranueshme që në një institucion publik në zemër të një rajoni me shumicë shqiptare, të ketë një përjashtim kaq të theksuar të shqiptarëve nga mundësitë për avancim profesional dhe përfaqësim i drejtë në organet shtetërore.

“Më shqetësuese është që këto vendime janë marrë në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet e barazisë etnike të garantuara me ligj”, thekson BDI.

BDI kërkon urgjentisht që të shqyrtohen të gjitha vendimet e marra në këtë konkurs nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Kërkon të bëhet transparencë e plotë rreth procedurës së përzgjedhjes dhe kritereve të përdorura.

BDI kërkon të garantohet përfaqësim i drejtë dhe i barabartë i shqiptarëve në institucionet e sigurisë, siç përcaktohet me Kushtetutë dhe ligj.

Go to TOP