Ministrja Rizvanolli mbron shefen e kabinetit pas akuzave në emisionin investigativ; Panduri: Kjo nuk është shpifje, kjo është kapje

Një përplasje e ashpër ka shpërthyer mes Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe gazetarit Ermal Panduri, pas transmetimit të një emisioni investigativ ku në qendër të kritikave ishte vendosur shefja e kabinetit të ministres, Anyla Beqa. Reagimet e ndërsjella kanë ngjallur debat publik mbi konfliktin e interesit, etikën institucionale dhe lirinë e medias në raport me pushtetin.

Rizvanolli: Anyla Beqa po sulmohet padrejtësisht – gazetaria e vërtetë nuk është linçim

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar ashpër pas transmetimit të një emisioni investigativ duke e cilësuar si “mizor”, “pseudo-gazetari” dhe “shfaqje të propagandës e linçimit publik”. Ajo doli publikisht në mbështetje të shefes së saj të kabinetit, Anyla Beqa, për të cilën tha se ka treguar përkushtim dhe profesionalizëm në shërbim të shtetit gjatë katër viteve të fundit.

“Me shkollimin dhe përvojën e saj, Anyla ka mundur të punojë kudo. Ajo ka zgjedhur t’i shërbejë shtetit dhe këtë e ka bërë me nder. Është për keqardhje që në vend se të tregojmë punën e saj si shembull, ajo sulmohet me dezinformata dhe gjysmë të vërteta” duke shtuar se gazetaria duhet të jetë shtyllë e demokracisë, jo mjet linçimi, shkroi Rizvanolli në një postim publik.

Panduri: Kjo nuk është shpifje, por kapje – përgjigjuni me fakte, jo me fjalime

Por drejtuesi i emisionit, Ermal Panduri, reagoi me një sërë pyetjesh publike duke kërkuar përgjigje të qarta nga ministrja.

“Zonja Ministre, a mund të na sqaroni ndonjëherë ku është shpifja në emision, apo thjesht çdo fakt që ju ekspozon e quani ‘pseudo-gazetari’?” – pyet Panduri duke theksuar se emisioni ka prezantuar letra, emaila, vendime bordi dhe analiza ligjore, e jo thjesht opinione apo meme nga rrjetet sociale.

Panduri pretendon se në emër të ministres Rizvanolli, Anyla Beqa ka kërkuar nga KOSTT një garancion bankar për një kompani private, dhe se ky proces është përmbyllur me aprovimin e menaxherit të Zyrës Ligjore në KOSTT, Astrit Beqa – babai i Anyla Beqës. Ai ngre shqetësimin për konflikt interesi dhe mungesë transparence duke shtuar se Kuvendi i Kosovës, si aksionar ligjor i KOSTT, nuk është njoftuar për këtë veprim.

“A nuk është kjo një lidhje flagrante familjaro-institucionale që do t’ia bënte edhe një shteti bananesh me turp? Në vend të fjalimeve për ‘integritet’ dhe ‘vajza që frymëzojnë’, pse nuk na tregoni si frymëzohen familjarët për t’ia përgatitur njëri-tjetrit garancionet milionëshe nga fondet publike?”, shton Panduri në reagimin e tij.

Ai përfundon se kjo nuk është shpifje, por një rast i qartë i kapjes së institucioneve dhe i mungesës së llogaridhënies.

Përplasja publike midis një përfaqësueseje të qeverisë dhe një gazetari investigativ ka ndezur debat të gjerë në opinionin publik. Çështja ka ngritur pikëpyetje serioze për integritetin institucional, rregullat e konfliktit të interesit dhe rolin e mediave në mbikëqyrjen e pushtetit. /Kosova.info/

Go to TOP