Hoti: Krizat politike s’mund të zgjaten pafund – nëse s’ka shumicë, fjala i kthehet popullit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj ngërçit institucional që po vazhdon pas zgjedhjeve të fundit duke theksuar se zgjatja e krizës politike është papërgjegjësi që po i kushton qytetarëve dhe bizneseve.

Në një deklaratë publike, Hoti tha se ndonëse partia e parë ka të drejtën kushtetuese për të propozuar Kryetarin e Kuvendit dhe për të marrë e para mandatin për formimin e Qeverisë, procesi nuk mund të ecë përpara pa një shumicë parlamentare. Sipas tij, ky është një rregull elementar i çdo demokracie funksionale dhe përjashtimet nuk mund të justifikohen.

“Pas 27 dështimeve për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, është e qartë se partia e parë ka dështuar të formojë shumicën parlamentare. Rrjedhimisht, ajo duhet ta pranojë këtë dhe të kërkojë konsultime me partitë e tjera për modalitetet kushtetuese të daljes nga kriza politike”, theksoi Hoti.

Ai rikujtoi se LDK-ja duke qenë e qartë se nuk do të jetë pjesë e ndonjë shumice parlamentare, ka propozuar një qeveri gjithëpërfshirëse kalimtare, me mandat dhe kohë të kufizuar. Megjithatë, mungesa e konsensusit mes partive politike ka pamundësuar edhe këtë opsion.

Në përmbyllje, Hoti bëri thirrje për arritjen e një marrëveshjeje sa më të shpejtë për një datë të re zgjedhjesh: “Vendi nuk mund të lihet pa institucione. Nëse forcat politike nuk arrijnë të merren vesh për të formuar shumicën parlamentare, atëherë fjalën duhet ta ketë sërish sovrani.” /Kosova.info/

Go to TOP