Koci: Mbjatja e dy palë zgjedhjeve në të njëjtën ditë, ide e hershme

Analisti politik, Melazim Koci, tha se takimi i thirrur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale është një procedurë rutinore dhe plotësisht e pritshme. Ndërsa, idenë e propozuar nga nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen njëkohësisht me ato lokale, ai e cilësoi si të parakohshme.

Ai shtoi se dy palë zgjedhje në të njëjtën ditë nuk ka ndodhur asnjëherë.

“Ideja e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në ditën e zgjedhjeve lokale është pak e hershme. Katër muaj para se të vijmë te data e zgjedhjeve lokale të paragjykohet kjo çështje, praktikisht përjashtohet mundësia e formimit të një qeverie të shumicës gjithëpërfshirëse, apo cilado qoftë. Pra konsideroj këtë si paragjykim”, tha Koci në ”InfoPlus”, në RTK.

Koci më tej theksoi se përsëritja e takimeve për konstituimin e Kuvendit sikur po venitet kredibiliteti i klasës politike në vend.

Ai ndryshimin e gjendjes e sheh në gjeneratën e re politike që do të mund të dalë në shesh, tani e tutje, duke ftuar të rinjtë, të cilët janë të arsimuar në Perëndim, që të dalin në skenën dhe ta sfidojnë klasën e tashme politike, që nuk ka ide dhe nuk gjen rrugë për kompromise.

Go to TOP