Munishi e Sanginov flasin për monitorimin e rasteve të krimit ekonomik
Koordinatori kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, Kujtim Munishi, priti në takim Kakhramondzhon Sanginov, përfaqësuesin nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Sipas njoftimit, në këtë takim u diskutua rëndësia e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve vendore dhe organizatave ndërkombëtare në monitorimin dhe trajtimin e rasteve të krimit ekonomik, korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Të dy palët theksuan nevojën për forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe integritetit institucional, si themel për një sistem drejtësie të besueshëm dhe funksional”, thuhet në njoftim.
U tha se Munishi shprehu mirënjohjen për angazhimin e vazhdueshëm të OSBE-së në monitorimin e sistemit të drejtësisë dhe theksoi përkushtimin për një bashkëpunim të ngushtë në funksion të luftimit efektiv të krimit ekonomik.
Tutje theksohet se takime të tilla janë dëshmi e përkushtimit të përbashkët për të garantuar sundimin e ligjit dhe ndërtimin e institucioneve të forta e të përgjegjshme.
