Për paga protestuan infermierë e punonjës teknikë të Spitalit të Tetovës
Rreth 140 infermierë dhe punonjës teknikë të Spitalit Klinik të Tetovës protestuan sot për shkak të statusit të pazgjidhur të punës dhe vonesës së pagave. Ata kërkuan kontrata të rregullta dhe pagesën e rrogave të prapambetura.
Dhjetëra infermiere dhe personel teknik me statusi të pazgjidhur të punës, dolën sot në protestë përpara Spitalit Klinik të Tetovës.
Përveç se s’kanë vendime pune, infermierët pohojnë se ka tre muaj që nuk kanë marr paga.
“Spitali i Tetovës mbahet gjallë nga ne, por neve na kanë harruar. ne nuk po kërkojmë dhurata, kërkojmë pagat tona të vonuara, kërkojmë kontratat tona të munguara, vendimet tona të merituara dhe të premtuara. Boll më me rrena”, tha Fluturie Islami, infermiere.
Drejtori i këtij institucioni, Agim Berisha nuk pranoi të prononcohet për media. Për problemin e mbi 140 të punësuarve në këtë spital, foli kryeinfermierja Dita Zaimi.
Ajo kërkoi që punonjësit të formojnë grup pune dhe të adresojnë kërkesat e tyre me shkresë zyrtare.
“Se tre rroga nuk i kanë marrë, nuk është e vërtetë. Nuk kanë marrë vetëm paga e prillit…Vetëm këtë dua t’i demantojë se nuk janë tre, është vetëm paga e prillit që nuk është paguar dhe muaji maj tani ka mbaruar…Edhe ne i marrim deri më 15 pagat, ata gjithmonë i kanë marrë 1 apo 2 ditë para nesh”, tha ajo.
Infermieret paralajmëruan vazhdimin e protestave deri në zgjidhjen e statusit të tyre.
Rreth 140 infermierë, shumica shqiptare ka disa vite që punojnë me status të pazgjidhur. Ato janë angazhuar në spitalin e qytetit në kohën pandemisë së koronavirusit.
