Rrezik nga kafshët e egra në Shtërpcë, Policia kërkon kujdes të shtuar
Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes dhe siguri në zonën malore të komunës së Shtërpcës. Sipas Policisë, bazuar në informacionet e mbledhura nga terreni, është vërejtur një rritje e konsiderueshme e pranisë së kafshëve të egra, veçanërisht e arinjve, në territorin e kësaj komune.
Sipas Policisë Rajonale në Ferizaj, raportimet e përditshme tregojnë se këto kafshë janë parë në afërsi të vendbanimeve, çka paraqet një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve.
“Situata bëhet edhe më shqetësuese në zonat malore përreth Brezovicës, sidomos përreth liqeneve të Shtërpcës, me theks tek liqeni i Jazhincës, ku çdo ditë qëndrojnë një numër i madh turistësh dhe vizitorësh vendorë e të huaj. Shumë prej tyre janë në kontakt të afërt me kafshët e egra, duke bërë fotografi dhe video nga distanca të papërshtatshme (vetëm 10-20 metra larg), veprime të cilat mund të çojnë në pasoja serioze për jetën e tyre”, thuhet në njoftim.
Policia ka bërë apel ndaj të gjithë qytetarëve, sidomos familjeve me fëmijë, që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qëndrimit në natyrë dhe të shmangin çdo afrim ndaj kafshëve të egra.
Në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, Policia thotë se do të ndërmerren masa informuese dhe parandaluese.
“I ftojmë gjithashtu mediat që të ndihmojnë në shpërndarjen e këtij apeli, me qëllim vetëdijesimin e qytetarëve dhe mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të të gjithëve”, ka apeluar Policia.
