KEK njofton bizneset se nga dje kanë afat tetë ditë për kontrata

Korporata Energjetike e Kosovës sh.a. (KEK) ka njoftuar opinionin publik dhe të gjitha bizneset se nga data 1 qershor 2025 ka hyrë në fuqi zyrtarisht liberalizimi i tregut të energjisë elektrike në Kosovë, në bazë të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Sipas këtij vendimi, KEK është caktuar si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF), me mandat të vlefshëm deri më 30 korrik 2025. Kjo nënkupton se të gjithë konsumatorët që nuk kanë zgjedhur ende furnizues në tregun e lirë janë transferuar automatikisht te FMF dhe po furnizohen me energji elektrike nga KEK, duke filluar nga 1 qershori 2025.

KEK thekson se obligimet që rrjedhin nga liberalizimi i tregut përfshijnë detyrimin për të lidhur kontratë me FMF brenda afatit ligjor prej 8 ditësh nga data 1 qershor 2025.

Për këtë qëllim, të gjitha bizneset e përfshira duhet të kontaktojnë menjëherë KEK-un për të realizuar lidhjen e kontratës, në adresën zyrtare të emailit: [email protected] ose në numrin pa pagesë: 080010600.

Në komunikim duhet të përfshihen të dhënat e mëposhtme të përditësuara të subjektit: numri unik i identifikimit të biznesit (NUI), emri i biznesit (sipas regjistrimit në ARBK), pikat matëse, adresa e biznesit, kontaktet (email dhe numër telefoni) dhe letërnjoftimi i personit të autorizuar.

KEK ka theksuar se stafi i saj është në dispozicion për çdo paqartësi apo nevojë për informata shtesë. /Kosova.info/


Go to TOP