Operacion i suksesshëm në Gjilan – Arrestohen 15 persona për mashtrim financiar dhe keqpërdorim të kartelave bankare
Pas një hetimi intensiv rreth njëvjeçar, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme nga Sektori i Hetimeve Rajonale në Gjilan ka realizuar sot, më 2 qershor 2025, një operacion policor të mirëplanifikuar, që ka rezultuar me arrestimin e pesëmbëdhjetë (15) personave të dyshuar për përfshirje në vepra penale që cenojnë sigurinë financiare të qytetarëve.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë hetimeve janë siguruar dëshmi të mjaftueshme që ndërlidhen me veprat penale “Lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit” si dhe “Mashtrim kompjuterik”.
Bazuar në informacionet dhe provat e grumbulluara, të dyshuarit dyshohet se në periudha të ndryshme kohore kanë përdorur të dhëna të ndryshme bankare për përfitime të kundërligjshme duke shkaktuar dëme materiale për qytetarët.
Operacioni është realizuar në bashkëpunim dhe me autorizim të Prokurorisë Themelore në Gjilan, ndërsa të gjithë të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan thekson përkushtimin e saj në luftimin e krimeve që kryhen përmes mjeteve teknologjike dhe që prekin sigurinë financiare të qytetarëve. Po ashtu, ajo u bën thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të kartelave bankare dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë përmes numrit 192 ose aplikacionit “Lajmëro Policinë”. /Kosova.info/
