Presidentja Osmani pret Guvernatorin e Antigua dhe Barbuda: Një hap drejt partneritetit më të fuqishëm bilateral

Me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, sot filloi vizitën zyrtare në vendin tonë Kreu i Shtetit të Antigua dhe Barbuda, Sir Rodney Errey Lawrence Williams, Guvernator i Përgjithshëm dhe zonja e parë e Antigua dhe Barbuda. 

Në takim, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për njohjen që Antigua dhe Barbuda i ka bërë Republikës së Kosovës në vitin 2015 duke e cilësuar këtë akt si dëshmi të qëndrimit parimor të këtij shteti dhe kontribut të çmuar për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Gjatë diskutimit, të dy palët ritheksuan përkushtimin për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale duke u bazuar në respekt të ndërsjellë dhe vlera të përbashkëta demokratike. Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në fusha si diplomacia ekonomike, teknologjia e informacionit, turizmi dhe bujqësia. 

Ajo vuri në pah gatishmërinë e Kosovës për të lehtësuar kontaktet në mes komunitetit të biznesit për të eksploruar mundësitë për investime dhe shkëmbime tregtare. 

Ndër të tjera, në takim u diskutua edhe për mbështetjen e Kosovës brenda komunitetit të shteteve të Karaibeve (CARICOM). Presidentja Osmani vlerësoi rolin e rëndësishëm të Antigua dhe Barbuda në rajon dhe ndikimin që zëri i saj mund të ketë në fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. 

Në kuadër të bashkëpunimit shumëpalësh, Presidentja Osmani shprehu gatishmërinë e Kosovës për të qenë një partnere konstruktive në forume ndërkombëtare dhe për të koordinuar me Antigua dhe Barbuda në çështje prioritare të përbashkëta, përfshirë qëndrueshmërinë klimatike, transformimin digjital dhe paqen e sigurinë globale. 

Sipas Presidentes Osmani ky takim është një hap i rëndësishëm drejt një partneriteti më të fuqishëm mes dy vendeve, ndaj theksoi përkushtimin për të vazhduar dialogun dhe bashkëpunimin në të ardhmen, në dobi të qytetarëve të të dyja vendeve. /Kosova.info/

Go to TOP