Policia e Kosovës siguron mbarëvajtjen e defilimit të maturantëve në Veri

Policia e Kosovës ka garantuar rendin dhe sigurinë publike gjatë defilimit të maturantëve në katër shkolla të Mitrovicës së Veriut, si dhe në komunat Zubin Potok dhe Zveçan. Aktivitetet festive u zhvilluan më 30 maj, duke filluar nga ora 11:00, në rrugët dhe sheshet kryesore të qytetit.

Organizatorët kishin kërkuar paraprakisht leje për mbajtjen e defilimit, e cila ishte miratuar nga Policia. Në përputhje me planin operativ, njësitë policore ishin të pranishme në terren përgjatë gjithë aktivitetit për të siguruar mbarëvajtjen, qetësinë publike dhe sigurinë në komunikacion.

Maturantët, të shoqëruar nga prindërit, profesorët dhe një grup muzikor, festuan në mënyrë të organizuar. Gjatë defilimit u vunë re edhe simbole kombëtare serbe, si flamuj dhe fishekzjarrë, por aktiviteti përfundoi pa ndonjë incident. Festimet zgjatën deri rreth orës 18:00.

Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, duke theksuar se respekton të drejtën e çdo qytetari për të festuar. Ajo theksoi gjithashtu se garantimi i sigurisë për të gjithë mbetet prioritet kryesor, ndërsa bashkëpunimi me qytetarët është çelësi për një ambient të qetë dhe të sigurt. /Kosova.info/

Go to TOP