Sveçla përvjetëson përplasjet në veri: Bandat janë shpartalluar, veriu sot frymon ndryshe

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kujtuar dyvjetorin e përplasjeve të dhunshme në veri të Kosovës, ku më 29 maj 2023 në Zveçan, dhjetëra ushtarë të KFOR-it dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës u sulmuan nga grupe kriminale të organizuara, sipas tij, nga Beogradi.

Në një postim në rrjetet sociale, Sveçla theksoi se këto grupe kishin për qëllim të ndalonin marrjen e detyrës nga kryetarët legjitimë të katër komunave veriore. Ai e cilësoi këtë datë si ditën e sulmit më të dhunshëm në veri të vendit pas përfundimit të luftës.

“Sot, bandat janë shpartalluar, ndërkohë që kryetarët punojnë normalisht dhe qytetarët marrin shërbimet e nevojshme. Zveçani dhe veriu sot frymojnë ndryshe,” deklaroi Sveçla duke nënvizuar përmirësimin e gjendjes së sigurisë dhe funksionalitetit institucional në atë pjesë të vendit.

Ngjarjet e majit të vitit të kaluar kishin tensionuar raportet mes Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, të cilët kishin kërkuar ulje të tensioneve dhe zbatim të marrëveshjeve për normalizim të situatës në veri. /Kosova.info/

Go to TOP