Paraqitet doracaku për zhvillimin e dokumenteve strategjike

Asociacioni i Komunave të Kosovës, në kuadër të aktiviteteve të veta, ka paraqitur një doracak i cili është hartuar për t’u dalë në ndihmë komunave për avancim të politikave për përfshirje sociale.

Sipas njoftimit, qëllimi kryesor i këtij doracaku është të ofrojë udhëzime për profesionistët e qeverisjes lokale për të planifikuar dhe zhvilluar dokumentin strategjik lokal për përfshirjen sociale në të cilin janë planifikuar dhe hartuar masat, shërbimet dhe aktivitetet e projektit, shpërndarja e burimeve, identifikimi i boshllëqeve dhe nevojave për avancim të politikave lokale.

Për diskutimin e këtij doracaku kemi mbledhur drejtorët Komunalë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, zyrtarë të Qendrave për Punë Sociale si dhe zyrtar komunal. Pjesë e diskutimeve për dokumentin në fjalë ka qenë edhe Blerim Shabani, drejtor i Departamenti për Politika të Shërbimeve Sociale dhe Familjare në Ministrinë e Drejtësisë.

Doracaku në fjalë është vlerësuar lartë sepse është një udhërrëfyes mjaft i mirë për komunat, më specifikisht për avancimin e përfshirjes sociale për grupet e cenueshme.

“Ky trajnim u organizua nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), në kuadër të Projektit “Bashkëpunimi Rajonal për Përfshirje më të mirë Sociale në Nivel Lokal”, i cili implementohet nga AKK, NALAS dhe GIZ ndërsa financohet nga Qeveria Gjermane. Projekti trajton kapacitetet e pamjaftueshme institucionale dhe njohuritë e administratave të qeverisjes lokale nga vendet e Ballkanit Perëndimor në identifikimin e nevojave të grupeve të pa favorizuara të qytetarëve, zhvillimin e politikave lokale të bazuara në fakte në fushën e mbrojtjes sociale dhe sigurimit të qasjes në shërbimet lokale nëpërmjet qasjeve inovative sociale”, thuhet në njoftimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Objektivi i përgjithshëm i projektit është të mbështesë qeveritë lokale në fuqizimin e përfshirjes sociale dhe ekonomike të grupeve të cenueshme në përputhje me parimin gjithëpërfshirës të Agjendës 2030 “Të mos lihet askush prapa”. /Kosova.info/


Go to TOP