Gërvalla: Inskenim i gërditshëm, hakmarrje ndaj luftës kundër korrupsionit i Blerim Isufajt
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të Prokurorisë Speciale, të cilat kanë përfshirë ministrin e Bujqësisë, Faton Peci. Ajo e ka cilësuar aksionin e sotëm të udhëhequr nga kreu i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, si një “inskenim të gërditshëm” dhe një hakmarrje të pastër ndaj angazhimit të Pecit në luftën kundër korrupsionit.
“Inskenim i gërditshëm ky aksioni i sotëm i Blerim Isufajt kundër ministrit Faton Peci, ministrit më shembullor të këtij mandati,” ka deklaruar Gërvalla. Sipas saj, ky veprim përbën një tentativë për të njollosur një nga figurat më të pastra dhe të përkushtuara në qeveri, për shkak të guximit të tij për të denoncuar dhe ndëshkuar çdo shkelje ligjore, pa marrë parasysh ndikimin apo lidhjet e shkelësve.
Gërvalla ka akuzuar organet e drejtësisë për keqpërdorim të kompetencave duke thënë se në vend të mbrojtjes së rendit dhe ligjit, po përdoren për hakmarrje politike. Ajo ka paralajmëruar se pavarësisht këtyre përpjekjeve, nuk do të ketë kthim pas.
“Kur pikërisht ata që e kanë për detyrë ta mbrojnë shtetin ligjor dhe qytetarët e Republikës nga krimi i keqpërdorin organet e drejtësisë për hakmarrje dhe për të njollosur figurat e suksesshme dhe të pastra politike, atëherë asgjë më nuk duhet të na habisë. Por, kthim prapa nuk ka. Deri në reformimin e plotë edhe të sistemit të drejtësisë,” përfundoi Gërvalla. /Kosova.info/
