Rama në Bruksel: Sanksionet po bllokojnë projekte jetike për Prishtinën, por jemi të përkushtuar ndaj agjendës evropiane

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka folur sot në Bruksel, në zemër të institucioneve të Bashkimit Evropian, për rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe BE-së, me fokus të veçantë në ndikimin që këto marrëdhënie kanë në qeverisjen lokale.

Rama theksoi se bashkëpunimi me BE-në ka qenë vendimtar për zhvillimin e Prishtinës duke përmendur përfitimet konkrete në fusha si infrastruktura, mjedisi dhe qeverisja e mirë. “Ky partneritet ka sjellë përfitime të prekshme për qytetin tonë dhe qytetarët tanë,” tha ai.

Megjithatë, ai shprehu shqetësim për stagnimin e projekteve të rëndësishme për shkak të sanksioneve aktuale ndaj Kosovës. Sipas tij, janë bllokuar projekte jetike si: zgjerimi i rrjetit të ngrohjes qendrore, që parashihte një grant prej miliona euro nga BE, investimet në trajtimin e ujërave të zeza, ndërtimi i sallës së koncerteve dhe dhjetëra projekte të tjera në fusha si energjia, arsimi, kultura dhe mjedisi.

“Sot nuk po flasim vetëm për projekte të pezulluara, por për mundësi të humbura për qytetarët tanë,” tha Rama.

Ai bëri thirrje për fuqizimin e komunave dhe largimin nga mentalitetet bllokuese duke nënvizuar se ndryshimet e vërteta vijnë nga veprimet konkrete dhe bashkëpunimi efektiv. “Duhet të krijojmë një garë të shëndetshme ndërmjet komunave dhe të ushtrojmë presion konstruktiv mbi qeveritë qendrore,” shtoi ai.

Rama ritheksoi përkushtimin e plotë të Komunës së Prishtinës ndaj agjendës evropiane duke shprehur gatishmërinë për të rifilluar bashkëpunimin me Bashkimin Evropian sapo të krijohen kushtet e nevojshme. Ai përmbylli fjalën duke theksuar se janë ndërtuar ura me të gjithë partnerët relevantë, me synim që partneriteti me BE-në të zë vendin që i takon në zhvillimin e kryeqytetit. /Kosova.info/


Go to TOP