Bajrami kërkon hetim urgjent për skandalin energjetik: Korrupsioni më i madh në historinë e Kosovës

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka ngritur sot akuza të rënda ndaj institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e sektorit energjetik në Kosovë duke e cilësuar situatën si skandalin më të madh korruptiv pas luftës. Ajo ka kërkuar që Prokuroria e Kosovës të nisë hetime të thella dhe të gjithanshme për atë që e quajti një “rrjet të koordinuar përfitimesh në kurriz të qytetarëve dhe bizneseve”.

Bajrami ka ngritur pyetje konkrete për mënyrën se si funksionon Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) duke kërkuar hetim përse remontet po kryhen gjatë dimrit – sezonit kur kërkesa për energji është më e lartë. Ajo po ashtu ka kërkuar hetim për tenderët dhe ndikimin e tyre në uljen e kapaciteteve gjeneruese, gjë që po çon në rritjen e importit të energjisë me çmime të papërballueshme.

Deputetja ka akuzuar edhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Qeverinë Kurti për ndërhyrje të drejtpërdrejta politike në KEK, ZRrE dhe KOSTT duke e lidhur këtë me abuzime të mundshme që kanë rënduar barrën mbi qytetarët.

“Si është e mundur që çmimet në ALPEX janë vazhdimisht më të shtrenjta sesa në bursën HUPX për tërë vitin 2024 dhe vazhdojnë kështu edhe në 2025? Si është lejuar importi i energjisë me çmim transporti deri në 800 euro për MWh?”, pyet Bajrami duke kërkuar përgjegjësi nga KOSTT dhe ZRrE.

Ajo ka përmendur edhe kompaninë NOA si tregtarin më të madh të energjisë në Kosovë duke kërkuar hetim të lidhjeve të kësaj kompanie me aktorë në Serbi dhe Kosovë, si dhe të përfituesve tjerë të mundshëm nga kriza energjetike.

“Kushdo që e zbardh këtë skemë do të hyjë në histori si patrioti më i madh i pasluftës. Nëse ky skandal heshtet, dijeni se do të shkatërrojë ekonominë dhe do të varfërojë çdo familje në Kosovë”, tha Bajrami.

Ajo theksoi se në Kosovë ka mbi 700 mijë njehsorë të energjisë dhe një rritje minimale mujore çmimesh ndikon me miliona euro në dëm të qytetarëve duke shtuar se rritja deri në 260% për rreth 1300 biznese është alarmante.

Në fund, deputetja falënderoi gazetarët që, sipas saj, kanë zbuluar fakte tronditëse dhe kanë ndihmuar në ndërgjegjësimin publik për këtë “krim ekonomik të përmasave të Watergate”.

“Reagimi është i domosdoshëm. Shteti dhe shoqëria nuk guxojnë të dorëzohen para këtij korrupsioni historik,” përfundoi ajo. /Kosova.info/


Go to TOP